Përfaqësuesit e Bankës Botërore konfirmuan përparimin e dukshëm në rikonstruksionin e objektit të ri të Agjencisë

Përfaqësuesit e Bankës Botërore konfirmuan përparimin e dukshëm në rikonstruksionin e objektit të ri të Agjencisë. Në kuadër të Projektit për Modernizimin e Bujqësisë, përfaqësues të Bankës Botërore sot vizituan objektin ku po zhvillohen punimet për rikonstruksionin dhe përshtatjen e hapësirave të reja të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Gjatë vizitës, së bashku me drejtoreshën e Agjencisë, Daniela Irotova Lazareva, u krye një inspektim i ecurisë së deritanishme të aktiviteteve ndërtimore dhe i progresit të arritur gjatë periudhës së kaluar.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore e vlerësuan pozitivisht përparimin e dukshëm të rikonstruksionit, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Agjencisë në ndjekjen e realizimit të projektit.

Përfaqësuesit e Agjencisë ndjekin çdo ditë ecurinë e punimeve dhe janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me mbikëqyrjen, menaxherin e projektit dhe kontraktuesin. Përmes zgjidhjes në kohë të çështjeve administrative dhe insistimit të vazhdueshëm për respektimin e dinamikës së dakorduar, Agjencia kontribuon aktivisht në zhvillimin e papenguar dhe përshpejtimin e realizimit të aktiviteteve të planifikuara.

“Pas përparimit të dukshëm qëndrojnë puna e përditshme, koordinimi dhe përkushtimi i të gjithë të përfshirëve në proces. Për ne është veçanërisht e rëndësishme që ky angazhim u njoh dhe u vlerësua pozitivisht nga përfaqësuesit e Bankës Botërore. Ne vazhdojmë me të njëjtin përkushtim ta ndjekim realizimin deri në përfundimin e plotë të rikonstruksionit”, theksoi drejtoresha Daniela Irotova Lazareva.

Gjatë vizitës, u vlerësua pozitivisht edhe organizimi i kantierit të ndërtimit, veçanërisht respektimi i standardeve mjedisore dhe sociale, si dhe rregullsia dhe siguria gjatë kryerjes së punimeve.

Rikonstruksioni i objektit të ri është i rëndësishëm për Agjencinë dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve administrative dhe institucionale, veçanërisht në kushtet e realizimit të detyrimeve që lidhen me zbatimin e Programit IPARD III, aktivitetet që lidhen me përmbushjen e qëllimeve dhe prioriteteve të përcaktuara për Agjencinë nga DG AGRI, si dhe përgatitjet për akreditimin e masave shtesë të IPARD-it.