Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural do të zhvendoset në hapësira të reja

 Përfaqësues të Bankës Botërore për mbështetjen e Projektit për modernizimin e bujqësisë, sot realizuan një takim me drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ilija Stoilev.

Qëllimi i vizitës është të shqyrtohet statusi i realizimit të aktivitetit projektues që ka të bëjë me rindërtimin dhe adaptimin e objektit të ri administrativ të ndarë për Agjencinë, si dhe të shqyrtohet plani dinamik për zbatimin e aktivitetit në përputhje me ristrukturimin e fundit të Projektit.

Sipas drejtorit Stoilev, si pjesë e procesit të përgatitjes së Agjencisë për obligimet e shtuara që dalin nga zbatimi i programit IPARD III, si dhe aktivitetet e ndërmarra për marrjen e akreditimit për 3 masa shtesë të IPARD-it, por edhe për përmirësimin e efikasitetit të përgjithshëm të institucionit, është paraparë rindërtimi dhe adaptimi i objektit që, me vendim të Qeverisë, i është ndarë Agjencisë.

Nga ana e misionit, u theksua se për Bankën Botërore është me rëndësi thelbësore sigurimi i mbështetjes financiare dhe udhëzimeve, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e sektorit bujqësor.

Me 6.4 milionë euro të siguruara nga Banka Botërore, do të rindërtohet ish-objekti administrativ i Makedonija Tabak, me ç’rast do të mundësohet organizim më i mirë i punës, qasje më e madhe për publikun dhe hapësirë e përshtatshme për punësime të reja që janë të nevojshme për obligimet administrative të shtuara.

Përmes këtij aktiviteti, shteti demonstron një qasje serioze ndaj përmbushjes së standardeve të BE-së për menaxhimin e fondeve, duke përfshirë kapacitetin për shpërndarje të drejtë dhe në kohë.