Drejtoresha e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Daniela Irotova Lazareva, sot në ambientet e komunës së Krivogashtan dhe në fshatin Debreshtë zhvilloi takime me bujqit. Ekipi që ajo udhëheq, i përbërë nga disa drejtorë të institucioneve shtetërore, u prezantoi bujqve të pranishëm mundësitë për shfrytëzimin e ndihmës shtetërore, e cila ofrohet përmes programeve për mbështetje dhe zhvillim të sektorit bujqësor.
Të pranishmit, të cilët kryesisht janë prodhues të duhanit, shprehën kënaqësinë e tyre për çmimin e arritur të blerjes. Tani, sipas tyre, presin subvencionet, për çka drejtoresha Daniela Irotova Lazareva u përgjigj se përpunimi i aplikimeve është në vazhdim dhe së shpejti do të dërgohen urdhërat në thesar. Megjithatë, ajo theksoi se fillimisht duhet pritur për të parë rezultatet e kontrolleve në terren, pasi shumë bujq kanë abuzuar me të drejtën për përfitimin e subvencioneve. Në sipërfaqe të mbjella me duhan, disa kanë deklaruar edhe prodhim të kulturave të tjera bujqësore, për çka do të duhet të merret vendim për kthimin e mjeteve.
Në takimet me bujqit, si pjesë e fushatës „Pyete Agjencinë“, janë gjithmonë të pranishëm edhe punonjësit përgjegjës për shqyrtimin e dokumentacionit, si dhe për kontrollet në terren. Të gjithë të pranishmëve që kishin ndonjë paqartësi apo çështje të diskutueshme lidhur me aplikimet e tyre, iu kontrolluan të dhënat drejtpërdrejt në sistem, ndërsa problemet u zgjidhën gjatë vetë takimit. Një aplikim përmban dokumente nga disa institucione, të cilat bujqit, për shkak të mungesës së informacionit, nuk i kanë plotësuar ose i kanë dorëzuar gabimisht. Për këtë arsye, ata u udhëzuan se si t’i eliminojnë këto mangësi, me qëllim që ndihma shtetërore t’u paguhet.



