Njoftim: Aktivitetet përfundimtare për fillimin e procesit të paraqitjes së suksesshme të kërkesave për subvencione

Të nderuar fermerë,

Me rastin e fillimit të periudhës për paraqitjen e kërkesave për pagesa direkte për vitin 2026, dëshirojmë t’ju informojmë për aktivitetet aktuale që po zhvillohen nga institucionet kompetente me qëllim krijimin e kushteve për një proces të suksesshëm të aplikimit për mbështetje financiare.

Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural është duke punuar në finalizimin e zgjidhjes së përmirësuar elektronike për paraqitjen e kërkesave, me qëllim që të sigurojë një proces të sigurt, efikas dhe transparent për të gjithë përfituesit.

Njëkohësisht, janë duke vazhduar aktivitetet për përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave në regjistrat përkatës, përfshirë edhe të dhënat që lidhen me identifikimin dhe evidencën e kafshëve. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që procesi të fillojë me të dhëna të plota dhe të sakta, me çka do të shmangen korrigjimet shtesë dhe ngarkesat administrative për vetë fermerët.

Për më tepër, Agjencia tashmë ka siguruar imazhet satelitore për të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe disponon me mjete bashkëkohore për monitorimin e sipërfaqeve bujqësore. Këto mjete mundësojnë përgatitje dukshëm më të mirë, pasqyrë të plotë dhe verifikim të të dhënave para fillimit të procesit të aplikimit, si dhe gjatë vetë procesit të paraqitjes së kërkesave.

Si institucion dhe partner i fermerëve, dëshirojmë të theksojmë qartë se nuk ka arsye për shqetësim. Asnjë fermeri nuk do t’i mohohet e drejta për të aplikuar për subvencione sipas Programit për pagesa direkte për vitin 2026. Do të sigurohet afat i përshtatshëm për paraqitjen e kërkesave, për të cilin opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të duhur përmes njësive rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe përmes mjeteve të informimit publik.

Qëllimi ynë nuk është vetëm hapja e sistemit sa më shpejt që të jetë e mundur, por sigurimi i një procesi të bazuar në të dhëna të sakta dhe relevante, të drejtë dhe në interes të të gjithë përfituesve të masave për mbështetje direkte.

Ju falënderojmë për durimin dhe besimin.