Drejtoresha Daniela Irotova Lazareva, në terren gjatë kontrolleve të paparalajmëruara me kontrollorët nga Sektori i Kontrollit

Drejtoresha e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Daniela Irotova Lazareva, gjatë kësaj jave u përfshi dhe realizoi disa kontrolle të përbashkëta në terren, së bashku me kontrollorët nga Sektori i Kontrollit pranë Agjencisë.

Në kuadër të kontrolleve të paralajmëruara dhe të paparalajmëruara, u vizituan persona fizikë dhe juridikë – përfitues të mbështetjes financiare në bujqësi dhe zhvillim rural. Një pjesë e subjekteve u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme, me qëllim që drejtoresha, drejtpërdrejt në terren, të verifikojë gjendjen faktike dhe ta krahasojë atë me të dhënat, procesverbalet dhe konstatimet që i dorëzohen Agjencisë.

Qëllimi i përfshirjes së drejtpërdrejtë të drejtoreshës në kontrolle është verifikimi i funksionimit të sistemit të kontrollit në terren – nga mënyra se si realizohen kontrollet, deri te saktësia e të dhënave mbi bazën e të cilave miratohet dhe paguhet mbështetja financiare.

Kontrollet në përgjithësi realizohen nga kontrollorët e Sektorit të Kontrollit të Agjencisë, ndërsa, kur është e nevojshme, përfshihen edhe përfaqësues të institucioneve të tjera kompetente nga sektori i bujqësisë.

Theks i veçantë i kushtohet saktësisë së sipërfaqeve të deklaruara, kulturave bujqësore, numrit të krerëve dhe sasive të deklaruara, si dhe faktit nëse gjendja faktike në terren përputhet me të dhënat mbi bazën e të cilave kërkohet mbështetja financiare. „Dua që personalisht, në terren, të shoh se si realizohen kontrollet nga punonjësit e Sektorit të Kontrollit dhe nëse gjendja që marrim në raportet dhe procesverbalet përputhet me gjendjen reale.

Qëllimi ynë nuk është t’i ndëshkojmë fermerët që prodhojnë me ndershmëri, por t’i mbrojmë ata dhe fondet e destinuara për ta. Mbështetja financiare duhet të arrijë tek ata që vërtet prodhojnë dhe i përmbushin kushtet“, theksoi drejtoresha Irotova Lazareva.

Në periudhën e ardhshme, këto superkontrolle të drejtoreshës në terren do të vazhdojnë, paralelisht me kontrollet e rregullta që i realizon Sektori i Kontrollit. Agjencia më tej e forcon sistemin edhe përmes monitorimit satelitor të sipërfaqeve bujqësore, me çka mund të verifikohen të dhënat e deklaruara dhe gjendja e parcelave në periudha të ndryshme kohore.

Nga ana e Sektorit të Kontrollit në terren, gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 10 462 kontrolle në vend, në kuadër të të gjitha programeve, me ç’rast janë kontrolluar 16 019 kërkesa për mbështetje financiare. Nga fillimi i këtij viti deri më 31.08.2026, janë kryer 938 kontrolle në vend, në kuadër të të gjitha programeve, me ç’rast janë kontrolluar 4 642 kërkesa për mbështetje financiare. Mesazhi është i qartë: kontroll në terren, rregulla të barabarta për të gjithë.