
Agjencia për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural sot e shpalli thirrjen publike 02/2025 për fermerët e rinj nga Programi për mbështetje financiare të zhvillimit rural.
Përfitues janë të rinjtë që për herë të parë fillojnë të merren me veprimtari bujqësore, qoftë duke marrë përsipër një fermë ekzistuese bujqësore, apo duke themeluar një fermë të re bujqësore.
Mbështetja u jepet fermerëve të rinj të moshës nga 18 deri në 40 vjeç, të cilët kanë dorëzuar kërkesë jo më vonë se 18 muaj nga data e regjistrimit të fermës së re bujqësore ose nga ndryshimi për të njëjtën në Regjistrin e vetëm të fermave bujqësore pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Mbështetja financiare e dhënë është një grant i pakthyeshëm prej 600.000 denarësh, përkatësisht 100% e shpenzimeve të kryera.
Gjithashtu, mbështetja mund të jepet në formë të pagesës paraprake deri në 40% të vlerës së përgjithshme të shumës së miratuar, ndërsa pjesa e mbetur paguhet pas realizimit të investimit.
Këtë vit u lehtësuan kushtet për përfitimin e mjeteve nga kjo masë, me qëllim që sa më shumë të rinj ta shfrytëzojnë mundësinë për të filluar të merren me bujqësi.
Përparësi do t'u jepet fermerëve individualë, anëtarëve të një kooperative bujqësore, grave të reja fermere, aplikantëve me arsim të përfunduar në fushën e bujqësisë apo veterinarisë, si dhe nëse qëllimi i investimit është blerja e makinerive bujqësore, pajisjeve për aktivitetet pas korrjes në prodhimin bimor, pajisjeve për përpunimin e produkteve bujqësore apo pajisjeve për prodhimin blegtoral (prodhimi i qumështit, mishit, vezëve dhe përpunimi i tyre).
Ftojmë të gjithë subjektet e interesuara që dëshirojnë të fillojnë të merren me veprimtari bujqësore, të dorëzojnë kërkesat e tyre për mbështetje financiare jo më vonë se data 09.05.2025.
Aplikimi për këtë masë bëhet nëpërmjet mënyrës elektronike, pra të gjithë të interesuarit duhet të krijojnë një kërkesë elektronike për mbështetje financiare me të dhëna për investimin dhe të ngarkojnë të gjitha dokumentet e nevojshme.
Udhëzimi për regjistrimin e aplikantëve në sistemin për dorëzimin elektronik të kërkesave mund të shkarkohet në faqen e parë e-baranje.ipardpa.gov.mk. Udhëzimi për përdoruesit për masat individuale mund të shkarkohet pas fillimit të krijimit të kërkesës për masën. Udhëzimi për përdoruesit mund të merret në faqen e internetit të Agjencisë -
www.ipardpa.gov.mk