U shënua Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale – Njohje e rolit të grave në zhvillimin rural

Me rastin e 15 Tetorit – Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale, në Dojran u mbajt një ngjarje e organizuar nga Federata Nacionale e Bujqve (FNB), nën moton "Njohje për shtyllat e padukshme në zhvillimin e bujqësisë dhe komuniteteve rurale". Ngjarja u mbështet nga Suedia dhe organizata zhvillimore We Effect, dhe në të morën pjesë gra bujqe nga të gjitha pjesët e shtetit, përfaqësues të institucioneve, shoqatave dhe organizatave të tjera që punojnë në çështje të zhvillimit rural dhe barazisë gjinore.

Në kuadër të diskutimit në panel, foli edhe Darko Tishovski, Udhëheqës në Sektorin për miratimin e projekteve në Agjencinë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, i cili i prezantoi masat dhe politikat që i zbaton Agjencia për mbështetjen e grave në zonat rurale.

Siç u theksua, në periudhën e kaluar janë zbatuar lehtësime të rëndësishme në kriteret për shfrytëzimin e mjeteve nga Programi për mbështetje financiare të zhvillimit rural, me qëllim që të rritet qasja për gratë aplikante. Rezultatet tashmë janë të dukshme – gjithnjë e më shumë gra po inkurajohen të aplikojnë në thirrjet publike dhe të marrin pjesë aktive në krijimin e jetës ekonomike në komunitetet rurale.

Përveç kësaj, nga ana e Agjencisë u prezantuan edhe të dhëna mbi shfrytëzimin e mjeteve në pjesën e pagesave direkte, masat nga Programi për mbështetje financiare në zhvillimin rural, si dhe nga Programi IPARD, ku pjesëmarrja e grave bujke shënon një trend pozitiv.

Në ngjarje u theksua se fuqizimi i grave rurale përbën një faktor kyç për sigurimin e një sektori bujqësor të qëndrueshëm, siguri të qëndrueshme ushqimore, rezistencë ndaj ndryshimeve klimatike dhe drejtësi sociale. Gratë rurale po bëhen gjithnjë e më shumë aktore aktive në proceset e marrjes së vendimeve, zhvillimin e komuniteteve lokale dhe fuqizimin ekonomik të zonave rurale.