Në periudhën nga 15 deri më 16 tetor 2025, në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, u mbajt një punëtori TAIEX me temë "Zbatimi i programeve IPARD", e organizuar në bashkëpunim me Drejtoratin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural pranë Komisionit Evropian (DG AGRI).
Në punëtorinë morën pjesë përfaqësues nga Maqedonia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Turqia dhe Ukraina, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet vendeve përfituese të programeve IPARD dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Fokusi i punëtorisë ishte i orientuar drejt përmirësimit të proceseve të planifikimit, menaxhimit dhe monitorimit të programeve IPARD, si dhe ndarjes së modeleve të suksesshme për zbatimin e thirrjeve publike, kritereve për përzgjedhjen e projekteve, kontrollit financiar, dukshmërisë së mbështetjes së BE-së dhe verifikimit të projekteve në terren.
Përfaqësuesit e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural morën pjesë aktive në diskutimet dhe sesionet në grupe, ku u prezantuan edhe përvojat kombëtare në zbatimin e Programit IPARD II dhe përgatitjet aktuale për IPARD III.
Në kuadër të punëtorisë, drejtori i Agjencisë, Ilija Stoilov, realizoi takime bilaterale me drejtorët e agjencive IPARD të Turqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, ku u diskutua për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë për aktivitete të përbashkëta në drejtim të një zbatimi më efikas të programeve IPARD.
Punëtoria përbën një kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe për avancimin e mëtejshëm të efektivitetit në zbatimin e fondeve evropiane për zhvillim rural.



