Të nxitur nga publikimet që kohët e fundit po shpërndahen në rrjetet sociale dhe që kanë të bëjnë me kriteret për ndarjen e subvencioneve për duhanin, Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural jep këtë deklaratë:
Në Programin dhe Rregulloren për pagesa direkte për vitin 2026 janë përcaktuar dy masa për mbështetjen e prodhimit të duhanit, edhe atë:
1. Nënmasa 1.1. “Pagesa direkte për sipërfaqe bujqësore të punueshme për kulturat e lavërtarisë”
Këtu, përfitues janë ekonomitë bujqësore që në vitin 2026 kanë mbjellë sipërfaqe me duhan dhe prodhimin e realizuar e kanë kontraktuar dhe dorëzuar te blerës të regjistruar të duhanit. Pagesat bëhen sipas sipërfaqes dhe arrijnë në 6.000 denarë për hektar.
Për këtë nënmasë është e detyrueshme regjistrimi i sipërfaqeve në Regjistrin e Vetëm të Ekonomive Bujqësore dhe në Sistemin për Identifikimin e Parcelave Bujqësore. Nuk kryhet pagesë për parcelat që nuk janë të regjistruara në këto sisteme.
2. Nënmasa 3.1. “Pagesa direkte për duhan oriental aromatik të papërpunuar të kontraktuar dhe të shitur nga korrja e vitit 2025”
Përfitues janë ekonomitë bujqësore që prodhimin e tyre të duhanit nga korrja e vitit 2025 e kanë kontraktuar dhe shitur në përputhje me ligjin te blerës të regjistruar të duhanit. Pagesat bëhen sipas sasisë dhe variojnë nga 60 deri në 80 denarë për kilogram, në varësi të klasës së duhanit. Pagesa realizohet për sasitë që janë të regjistruara në sistemin elektronik nga ana e blerësve. Pagesa sipas kësaj nënmase nuk kushtëzohet me pagesën nga nënmasa 1.1, që në praktikë do të thotë se për të përfituar subvencione sipas sasisë, NUK është kusht që aplikuesi të ketë paraqitur kërkesë për masën sipas sipërfaqes.
Agjencia do të vazhdojë të ndjekë reagimet e bujqve dhe do të publikojë shpjegime shtesë kur të jetë e nevojshme.
Për të gjitha informacionet lidhur me dhënien e mbështetjes financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, ndiqni faqen zyrtare të Agjencisë: www.ipardpa.gov.mk