Njoftim për pagesën e subvencioneve për duhanin

 Agjencia me shifra të sakta: Janë paguar 99% e prodhuesve të duhanit për korrjen e vitit 2025, ndërsa për pjesën tjetër po zhvillohen kontrolle shtesë ligjore

Për shkak të dezinformatave të shpeshta dhe përpjekjeve për manipulim të opinionit publik lidhur me pretendimet për pagesa selektive të subvencioneve për duhanin për korrjen e vitit 2025, Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural informon publikun për statusin e saktë të përpunimit dhe pagesës së aplikuesve.

Nga gjithsej 15.286 aplikues të konstatuar dhe të dorëzuar në listat nga kompanitë blerëse, Agjencia që më 8 qershor ka dorëzuar në Thesar urdhrat për pagesë për 15.144 aplikues. Këto mjete janë realizuar plotësisht përmes Thesarit dhe janë paguar në llogaritë përkatëse më 15 qershor 2026.

Pse nuk janë paguar 142 aplikuesit e mbetur?

Agjencia vepron rreptësisht sipas ligjit dhe jo në mënyrë selektive apo për individë të caktuar. 142 aplikuesit e mbetur, të cilët nuk janë përfshirë në valën e parë të pagesave, ndodhen në njërën nga këto tri procedura ligjore-administrative:

  1. Debitorë ndaj shtetit, përkatësisht persona që kanë detyrime të papaguara për ujë, kullota dhe qira për tokë bujqësore shtetërore.
  2. Mospërputhje gjatë kontrollit në terren te aplikuesit ku është konstatuar keqpërdorim i sistemit, përkatësisht dallim prej më shumë se 50% ndërmjet sipërfaqes së mbjellë dhe asaj të deklaruar.
  3. Dyshime për sasi të deklaruara fiktive te 51 aplikues, ku janë deklaruar sasi jashtëzakonisht të mëdha të duhanit të blerë, për të cilat është marrë informacion për abuzim serioz dhe deklarim fiktiv. Këto raste tashmë janë dorëzuar te Inspektorati Shtetëror për kontroll dhe verifikim shtesë.

Procesi i pagesave vazhdon për të gjithë ata që i eliminojnë pengesat:

Nga data 15 qershor deri më sot, 73 persona kanë shlyer detyrimet e tyre ndaj shtetit. Për ta tashmë janë përgatitur vendimet për pagesë dhe mjetet do t’u transferohen gjatë javës së ardhshme.

Agjencia dërgon një mesazh të qartë: Të gjithë prodhuesit e duhanit që i plotësojnë kushtet ligjore do t’i marrin subvencionet e tyre. Sapo të përfundojnë kontrollet aktuale të Inspektoratit Shtetëror dhe në rastet ku nuk do të konstatohen shkelje të ligjit apo keqpërdorime, Agjencia do të vazhdojë me pagesat e mjeteve të mbetura në mënyrë të njëpasnjëshme.

Institucionet nuk do të lejojnë që paratë publike të paguhen për deklarime fiktive në dëm të prodhuesve të ndershëm të duhanit.