Drejtoresha e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Daniela Irotova Lazareva, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, dr. Oliver Milanov, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), si dhe me përfaqësues të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit.
Në takim u diskutua gjendja aktuale në sektorin e prodhimit dhe importit të qumështit dhe produkteve të qumështit, si dhe sfidat me të cilat përballen prodhuesit dhe përpunuesit.
Theks i veçantë iu kushtua situatës së grumbullimit të qumështit të papërpunuar në Dellçevë dhe rajonin lindor, ku gjatë periudhës së fundit janë paraqitur probleme që kanë shkaktuar ndërprerje në grumbullim dhe pasoja serioze për prodhuesit e qumështit. Pjesëmarrësit në takim diskutuan shkaqet e situatës së krijuar dhe masat e mundshme për tejkalimin e saj, duke theksuar nevojën për veprim të koordinuar nga të gjitha institucionet kompetente dhe palët e interesuara, me qëllim sigurimin e grumbullimit të pandërprerë të qumështit të papërpunuar, stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e prodhimit vendor.
Gjithashtu, grumbulluesit e qumështit arritën në përfundimin se në Maqedoninë e Veriut aktualisht nuk ka krizë në sektorin e qumështit, por mungesë të lëndës së parë – qumështit të papërpunuar. Aktualisht ekziston mungesë e qumështit të papërpunuar cilësor për prodhimin e produkteve të fermentuara të qumështit, prandaj realizohet import i qumështit me cisterna nga vendet fqinje.
Në këtë drejtim, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, dr. Oliver Milanov, informoi se AUV ka miratuar Vendim për vendosjen e masave të posaçme të sigurisë gjatë importit të qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur. Me këtë vendim forcohen kontrollet zyrtare gjatë importit përmes analizave të detyrueshme laboratorike dhe verifikimit të përputhshmërisë me kërkesat për cilësi, me qëllim që në tregun vendor të plasohen ekskluzivisht produkte të sigurta dhe cilësore, të sigurohet konkurrencë e ndershme dhe të mbrohen prodhuesit vendas dhe konsumatorët.
Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë i zbaton në kuadër të kontrolleve zyrtare të ushqimit, me fokus të veçantë në kontrollet që lidhen me cilësinë dhe sigurinë e qumështit dhe produkteve të qumështit të destinuara për tregun vendor. U theksua se kontrollet inspektuese zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme, në përputhje me dispozitat ligjore, me qëllim garantimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe sigurimin e kushteve të barabarta për veprimtarinë e të gjithë operatorëve të ushqimit.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe propozim-ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për kërkesat e cilësisë së qumështit të papërpunuar, standardet e cilësisë për qumështin për konsum, produktet e qumështit dhe përdorimin e emërtimeve të tyre. Gjithashtu, u diskutua për cilësinë dhe aktivitetin e kulturave starter, enzimave të mpiksjes (maja për djathë) dhe substancave të tjera specifike që përdoren në prodhimin e produkteve të qumështit, si dhe për mënyrën e përdorimit të tyre, me qëllim harmonizimin e legjislacionit me praktikat bashkëkohore të prodhimit dhe standardet evropiane.
Pjesëmarrësit në takim theksuan nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm institucional dhe dialog të rregullt ndërmjet institucioneve kompetente, prodhuesve të qumështit dhe përpunuesve të tij, me qëllim avancimin e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së sektorit vendor të qumështit, sigurimin e kushteve të qëndrueshme të tregut dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
Në përfundim të takimit u konstatua se, për tejkalimin e sfidave aktuale në sektorin e qumështit, është i domosdoshëm koordinimi i vazhdueshëm dhe një qasje partneriteti ndërmjet institucioneve kompetente, prodhuesve të qumështit dhe përpunuesve të tij.

