Drejtoresha e Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, Daniela Irotova Lazareva, sot në Prilep zhvilloi një takim zyrtar pune me mbarështuesit e deleve.
Takimi u organizua me qëllim adresimin dhe tejkalimin e problematikave me të cilat përballen blegtorët, si dhe për t’i njoftuar ata mbi realizimin e pagesave të subvencioneve të prapambetura për disa vite. Po ashtu, u bë e ditur se në periudhën në vijim aplikantët do të përfitojnë edhe mjetet financiare për vitin 2025. Gjatë takimit, Drejtoresha vuri theks të veçantë në strukturën dhe prioritetet e Programit për Mbështetje Financiare për vitin 2026, i cili synon ruajtjen, konsolidimin dhe rritjen e fondit blegtoral, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit blegtoral.
Ajo theksoi se realizimi i pagesës së subvencioneve për vitin 2025, në kuadër të masës për blegtori, është çështje ditësh. Ndërsa sa i përket subvencioneve të prapambetura për vitet 2023 dhe 2024, mjetet financiare do të disbursohen pas përfundimit të kontrolleve administrative dhe miratimit nga Thesari, për të cilat fondet janë të siguruara.
Për një numër të konsiderueshëm blegtorësh kontestuese mbetet Masa për vitin 2024. Gjatë takimit u sqarua se masa është në fuqi në formën e miratuar dhe nuk mund të vlerësohet nëse reagimi institucional ka qenë në kohë. Megjithatë, pjesa më e madhe e blegtorëve nuk kanë qenë të informuar në mënyrë të mjaftueshme për ndikimin që kjo masë do të kishte në realizimin e pagesave.
Është fakt se pagesa ka pësuar vonesë dhe se një reagim në kohë gjatë vitit 2025 do të kishte qenë i nevojshëm. Nga gjithsej 2.200 aplikues të regjistruar, vetëm 800 plotësojnë kushtin minimal për dorëzimin e qengjave në kapacitetet thertore.
Gjithashtu, nuk është marrë parasysh përjashtimi i krerëve të rinj joreproduktivë dhe i krerëve meshkuj nga përllogaritja e kushtit prej 50% të qengjave të dorëzuar gjatë vitit 2024. Kriteri i përcaktuar rezulton të jetë vështirë i përmbushshëm për shumicën e blegtorëve.
Megjithatë, lidhur me çështje që i përkasin vitit 2024, Drejtoresha theksoi se aktualisht nuk mund të japë komente shtesë dhe as të parashikojë ndërhyrje apo kompensime në kuadër të programit për vitin 2026.
Kërkesat për vitin 2025 janë në proces shqyrtimi. Agjencisë nuk i nevojiten më shumë se 5 deri në 7 ditë për përgatitjen e masës përkatëse dhe dërgimin e saj në Ministrinë e Financave për miratim të mëtejshëm. Vlera e përgjithshme e pagesave kap shumën rreth 1 miliard denarë, në mbështetje të një numri të konsiderueshëm blegtorësh.
Mjetet financiare janë të parashikuara në Buxhet dhe nuk paraqitet pengesë në këtë drejtim. Megjithatë, blegtorët duhet të jenë të vetëdijshëm se ekzistojnë ende detyrime të papaguara për vitin 2024, të cilat dalin jashtë kornizave fiskale të Buxhetit të miratuar për vitin 2026.
Në kuadër të mjeteve të planifikuara, do të bëhen përpjekje për shlyerjen e të gjitha obligimeve të prapambetura, përfshirë edhe rastet problematike nga vitet 2022 dhe 2023, duke vepruar në përputhje me Ligjin për zbatimin e Buxhetit, mbi bazën e të cilit institucioni mban përgjegjësi ligjore.
Të gjitha kërkesat për vitin 2025 do të përpunohen në kuadër të shumës prej 1 miliard denarësh dhe do të përcillen në Thesar për realizim. Të gjitha zërat e tjerë të pagesave realizohen përmes Ministrisë së Financave, si institucion përgjegjës për krijimin dhe menaxhimin e Buxhetit.
Siç theksoi Irotova Lazareva, Agjencia do të ofrojë mbështetje të plotë institucionale për përpunimin dhe dorëzimin e masës në Thesar, duke respektuar rendin e shlyerjes së detyrimeve për vitet 2023 dhe 2024. Në përputhje me detyrimet ligjore, nuk mund të realizohen pagesa me prioritet për periudha të reja nëse nuk janë shlyer më parë obligimet ekzistuese. Fondet për vitet 2023 dhe 2024 tashmë janë dorëzuar në Thesar dhe është vetëm çështje kohe kur do të fillojë realizimi i pagesave.
Me qëllim mbështetjen e blegtorëve, sot është shpallur edhe thirrja publike për pagesat në kuadër të masës për blegtori për vitin 2025. Kjo bëhet për të ruajtur dinamikën e realizimit të masave dhe për të shmangur grumbullimin e detyrimeve të papërfshira nga periudhat e mëparshme. Blegtorët tashmë i kanë realizuar këto shpenzime, megjithatë sa më e shpejtë të jetë pagesa, aq më e favorshme është për ta, në funksion të ruajtjes së likuiditetit dhe qëndrueshmërisë ekonomike të veprimtarisë së tyre, deklaroi Daniela Lazarova Irotova.
Në takimin me blegtorët morën pjesë edhe punonjësit e Аgjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, përgjegjës për shqyrtimin e dokumentacionit dhe realizimin e kontrolleve në terren. Së bashku me blegtorët, në mënyrë të drejtpërdrejtë në sistem u verifikuan të gjitha të dhënat lidhur me lëndët e tyre. Secilit iu dhanë informacione të detajuara mbi çështjet kontestuese për shkak të të cilave kërkesat ose janë refuzuar, ose vazhdojnë të jenë në procedurë për miratim pagese. Një aplikim përfshin dokumentacion nga disa institucione të ndryshme, të cilat në disa raste nuk janë kompletuar siç duhet ose janë dorëzuar në mënyrë të pasaktë nga ana e aplikantëve, për shkak të mungesës së informimit. Të pranishmit u udhëzuan konkretisht mbi mënyrën e eliminimit të këtyre mangësive, me qëllim që ndihma shtetërore t’u miratohet dhe të realizohet pagesa përkatëse.


