Drejtoresha e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Daniela Irotova Lazareva, sot në ambientet e komunës së Demir Hisarit realizoi takime me bujqit, të cilët në pjesën më të madhe janë prodhues të duhanit.
Para të pranishmëve ajo theksoi se, sipas programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2024, vetëm për Demir Hisarin janë paguar gjithsej 94,371,748 denarë, përkatësisht janë nxjerrë 4,146 vendime për pagesë.
Ndërsa për vitin 2025, deri më tani janë paguar gjithsej 11,850,345 denarë, përkatësisht janë dërguar për pagesë 150 vendime.
Drejtoresha Irotova Lazareva u konfirmoi prodhuesve të duhanit nga rajoni i Demir Hisarit se në periudhën në vijim do të pasojë pagesa e subvencioneve në vlerë prej mbi 62,000,000 denarë.
Në takimet me bujqit, si pjesë e fushatave “Pyete Agjencinë” dhe “Zëri që dëgjojmë – më e mira maqedonase”, ku promovohen masat qeveritare për subvencionim, marrin pjesë edhe drejtorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Oliver Milanov, të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike Igor Lazarevski, të Drejtorisë për Menaxhim me Ujërat Romeo Trenov, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Punonjësit e AMFBZHR-së, të cilët janë përgjegjës për shqyrtimin e dokumentacionit dhe kontrollin në terren, për të gjithë të pranishmit që kanë pasur ndonjë çështje të diskutueshme lidhur me aplikimet e tyre, i kontrollojnë të dhënat drejtpërdrejt në sistem dhe i zgjidhin problemet në vetë takimin. Një aplikim përmban dokumente nga disa institucione, të cilat bujqit, për shkak të mungesës së informimit, nuk i kanë kompletuar ose i kanë dorëzuar gabim, ndaj janë udhëzuar se si t’i eliminojnë këto mangësi me qëllim që ndihma shtetërore t’u paguhet.




