Vazhdon procesi për paraqitjen e suksesshme të kërkesave për subvencione

Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, gjatë periudhës së fundit, ka punuar intensivisht në stabilizimin e zgjidhjes së avancuar elektronike për paraqitjen e kërkesave për subvencione, me qëllim sigurimin e një procesi të qëndrueshëm, efikas dhe transparent për të gjithë përfituesit.

Pas problemeve teknike të shfaqura pas aktivizimit të sistemit për aplikim, dëshirojmë t’ju informojmë se masat e ndërmarra kanë dhënë rezultate dhe procesi është tashmë plotësisht i siguruar. Është realizuar me sukses kopja rezervë e të dhënave (backup) dhe nuk ka pasur asnjë humbje të të dhënave.

Aplikacioni për paraqitjen e kërkesave për subvencione është sërish në dispozicion të fermerëve, është plotësisht funksional dhe aktualisht funksionon në mënyrë të qëndrueshme.

Njëkohësisht, janë duke vijuar aktivitetet për përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave në regjistrat përkatës, përfshirë edhe të dhënat që lidhen me identifikimin dhe evidencën e kafshëve. Për ne është me rëndësi të veçantë që procesi të vijojë me të dhëna të plota dhe të sakta, me çka do të shmangen korrigjimet shtesë dhe ngarkesat administrative për vetë fermerët.

Gjithashtu, dëshirojmë t’ju informojmë se Agjencia tashmë ka siguruar imazhet satelitore për të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe disponon me mjete bashkëkohore për monitorimin e sipërfaqeve bujqësore. Këto mjete mundësojnë një përgatitje dukshëm më të mirë, një pasqyrë të plotë dhe verifikimin e të dhënave para fillimit të procesit të aplikimit, si dhe gjatë vetë procesit të paraqitjes së kërkesave.

Si institucion dhe partner i fermerëve, dëshirojmë të përcjellim një mesazh të qartë se nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Asnjë fermeri nuk do t’i mohohet e drejta për të aplikuar për subvencione në kuadër të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2026. Do të sigurohet një afat i përshtatshëm për paraqitjen e kërkesave, për të cilin publiku do të informohet me kohë dhe në mënyrë të duhur përmes njësive rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe përmes mjeteve të informimit publik.